Drejtori i Entit shtetëror të statistikës, Apostol Simovski, sot mori pjesë në një panel diskutim mbi temën "Si mund të (keq) përdoret Regjistrimi?" organizuar nga shoqata qytetare "Civil" - Qendra për Liri - Shkup.
Në kuadër të diskutimit, drejtori Simovski iu përgjigj pyetjeve lidhur me Regjistrimin 2021, në lidhje me procedurën për realizimin e Regjistrimit dhe nevojën për këtë operacion kompleks statistikor.
Drejtori Simovski, duke theksuar se Regjistrimi është një operacion kompkes statistikor, dhe assesi nuk mund të ketë një konotacion politik, edhe një herë shpjegoi kategoritë e popullsisë që do të regjistrohen, në përputhje me Metodologjinë e publikuar.
Ai sqaroi se Regjistrimi i popullsisë 2021, në përputhje me rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe përkufizimet e Eurostatit, do të japë një përgjigje, përkatësisht të dhëna për kategori të caktuara të personave: popullsinë rezidente që jeton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe popullsinë jo-rezidente, përkatësisht personat-shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut që qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se 12 muaj, përkatësisht një vit, si dhe anëtarët e familjeve të tyre nëse qëndrojnë me ta.
"Me publikimin e Metodologjisë, shumica e pyetjeve në lidhje me kategoritë e popullsisë që do të regjistrohen tashmë janë sqaruar. Përfshirja në Regjistrim të qytetarëve tanë që janë jashtë vendit për më shumë se një vit është e një rëndësie të madhe sepse vlerësojmë që duhet të dimë se cili është ai numër, cila është struktura e tyre në të gjitha bazat, si në atë arsimore, mosha, gjinia, aftësisë për të punuar, cilat janë periudhat e tyre të emigrimit, nga cila pjesë e vendit kanë emigruar, etj. ”, theksoi Simovski, duke shtuar se Regjistrimi është një përpjekje për të marrë një numër edhe për këta qytetarë, në mënyrë që të krijohen politika cilësore që do të ndihmojnë në kthimin e sa më shumë personave të kësaj kategorie.
Simovski vuri në dukje se Regjistrimi i ardhshëm ofron të dhëna elementare mbi planifikimin dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe siguron të dhëna të nevojshme për sektorin afarist, vetëqeverisjen lokale për menaxhim cilësor dhe të gjithë institucioneve tjera.
"Në bazën e tregut të punës ndjehet një mungesë e madhe e fuqisë së trajnuar punëtore dhe potencialit njerëzor dhe pikërisht kjo shifër do të japë një pasqyrë elementare të karakteristikave të personave, për sa i përket moshës, përkatësisë ekonomike, arsimore, kulturore, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe për të cilët me një politikë të planifikuar cilësore shtetërore, mund të krijohen kushte që ata të kthehen në Maqedoninë e Veriut, "tha Simovski.
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me të drejtën e deklarimit të përkatësisë etnike, Simovski sqaroi se çdo qytetar ka të drejtë të regjistrohet sipas bindjes së tij personale, pavarësisht nga kategoritë e përcaktuara me kushtetutë të anëtarëve të bashkësive etnike.
Lidhur me shtyrjen e mundshme të Regjistrimit, Simovski shpjegoi se nuk ka mundësi për këtë gjë për shkak të periudhës kohore të regjistrimit i cili rregullohet me Ligjin për Regjistrim, por edhe për shkak të nevojës që më në fund, pas më shumë se 18 vjet, të kemi të dhëna cilësore të nevojshme për shtetin dhe për zhvillimin e tij të suksesshëm.
Në të njëjtën kohë, ai shtoi se Enti shtetëror i statistikës është i përgatitur si në aspektin kadrovik ashtu edhe në atë teknologjik për të kryer këtë operacion kompleks, i cili pritet për gati dy dekada.
Në debatin e "Civil" me temën "Si mund të (keq) përdoret Regjistrimi?" u konstatua se jehona e qytetarëve në Regjistrimin e muajit prill është në dobi të përgjithshme për secilin qytetar individualisht, ndërsa mospjesëmarrja në Regjistrim sjell vetëm dëm, para së gjithash, në lidhje me marrjen e përgjigjeve më cilësore për planifikimin e një të ardhme ekonomike dhe zhvillimore për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në panel-diskutimin, të udhëhequr nga gazetari Zoran Ivanov, në të cilin ishin përfshirë edhe tema në lidhje me domethënien e Regjistrimit për ekonominë, komunitetin afarist, si dhe për bashkësitë më të vogla etnike në vend, morën pjesë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, Ljupço Zikov, kryeredaktor i "Kapitalit" dhe Dehran Muratov, gazetar dhe koordinator në "Civil".
