Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u promovua publikimi “Projeksionet e popullsisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2070” – që është rezultat i projeksioneve të popullsisë sipas viteve individuale deri në vitin 2070.
Ky projekt i Entit Shtetëror të Statistikave është arritja më e fundit madhore e institucionit, i cili edhe një herë e dëshmon veten si një partner profesionist që u ofron vendimmarrësve, krijuesve të politikave dhe strategjive të dhëna zyrtare si bazë për punën e tyre të mëtejshme në planin e krijimit të së ardhmes së vendit tonë, bazuar në dëshmi.
“Projeksionet e popullsisë formësojnë thelbin e shoqërisë sonë dhe ndikojnë në të ardhmen e përbashkët”. – tha drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, z. Apostol Simovski, në fjalën e hapjes së evinimentit dhe shtoi se projeksionet janë bazë për marrjen e masave dhe drejtimin e rrjedhave të shoqërisë në drejtimin e duhur.
Në këtë rast të pranishmëve iu drejtua edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, i cili theksoi se:
“...Popullsia po plaket me shpejtësi, ndërsa shteti po zbrazet me shpejtësi. Ne kemi arritur tashmë projeksionet demografike të Kombeve të Bashkuara që ata parashikuan për ne për në vitin 2030. Në bazë të Regjistrimit të popullsisë, Enti Shtetëror i Statistikës përgatiti projeksionet, sipas të cilave, deri në vitin 2070, popullsia do të zvogëlohej deri në 35%, respektivisht nga 1.8 milion banorë që kemi aktualisht në mezi 1.2 milionë banorë...”.
“...Zgjidhja qëndron në sjelljen e ndryshimeve sistematike dhe vendimeve që sjellin parashikueshmëri dhe konsistencë, pavarësisht vullnetit politik, që, theksoi ai, sjell diçka të paçmueshme për çdo zhvillim – forcimin e sigurisë dhe besimit...”- theksoi zëvendëskryeministri Bytyqi duke iu referuar në fjalimin e tij rëndësisë së projeksioneve të popullsisë, veçanërisht në këtë moment kur po përgatitet Strategjia kombëtare e zhvillimit.
Për aspektin social të projeksioneve foli ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, znj. Jovana Trençevska, e cila theksoi se “...popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket, se amvisëria mesatare po zvogëlohet dhe se kufiri i moshës për martesë dhe për krijimin e familjes po rritet..."
Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është partner strategjik dhe mbështetës i aktiviteteve të ESHS-së. “...Projeksionet e bëra, të cilat po promovohen sot, duhet të vihen në kontekst dhe të shërbejnë si një mjet bazë për politikëbërësit në marrjen e masave dhe vendimeve të informuara të politikave që janë me rëndësi për të ardhmen e vendit dhe kapitalin e tij njerëzor... . “, tha shefja e zyrës, znj. Afrodita Shala Plavjanska.
Në këtë ngjarje ekspertët dr. Goran Penev dhe Jane Krstevski prezantuan rezultatet e projeksioneve duke iu referuar skenarëve të mundshëm për gjendjen me popullsinë deri në vitin 2070.
Këto janë projeksionet e dyta me rend për Republikën e Maqedonisë së Veriut pas pavarësisë së saj – gati 25 vjet pas projeksioneve të para të publikuara në vitin 1998.