Llogaritë ekonomike për turizmin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë zhvilluar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian "Përmirësimi i prodhimit dhe shpërndarjes të të dhënave statistikore EUROPEAID/139628/DH/SER/MK".
Llogaritë ekonomike për turizmin janë instrument i përbërë nga një sistem informacioni i integruar, qëllimi kryesor i të cilit është të paraqesë aktivitetet dhe produktet që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me turizmin. Ky instrument mundëson vlerësimin e dimensionit ekonomik të këtij sektori, si dhe krahasimin me vendet e tjera.
Sipas llogarive ekonomike për turizëm, vlera e shtuar bruto e krijuar nga turizmi në vitin 2019 merr pjesë me 2.45% në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është 23 685.5 milionë denarë me çmime bazë.
Konsumi turistik në territorin ekonomik vlerësohet në 28 033.8 milionë denarë, që paraqet 2.36% të bruto produktit vendor (BPV).
Turizmi hyrës
Shpenzimet për turizmin hyrës arrijnë në 22 189.4 milionë denarë. Kostot e turistëve të huaj në turizmin hyrës përbëjnë 76.0% dhe pjesa e mbetur prej 24.0% janë nga vizitorët e huaj njëditorë.
Kostot e ushqimit janë dominuese me 36.1% të kostove të turizmit hyrës, krahas kostove të akomodimit me 29.6% dhe shërbimeve të transportit të pasagjerëve me 13.5%. Këta tre komponentë përbëjnë 76.6% të kostove totale për turizmin hyrës (Tabela 1).
Turizmi vendor
Shpenzimet e turizmit vendor arrijnë në 5 844.4 milionë denarë. Për sa i përket pjesëmarrjes, shërbimet e akomodimit janë komponenti më i madh i shpenzimeve të turizmit vendor dhe përbëjnë 56.1% (Tabela 2).
Turizmi i brendshëm
Pjesëmarrja e shpenzimeve të turizmit vendor në konsumin e përgjithshëm për turizmin e brendshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 20.9% në vitin 2019, ndërsa pjesa e mbetur prej 79.1% janë shpenzime për turizmin hyrës. Kostot e akomodimit zënë peshën më të madhe dhe përbëjnë 39.0% të kostove të turizmit të brendshëm, të ndjekura nga kostot për shërbimet e ushqimit dhe pijeve, me 33.7%, dhe shërbimet e transportit rrugor të pasagjerëve, me 16.2% (Grafiku 1).
Turizmi i jashtëm
Kostot e turizmit të jashtëm i referohen shpenzimeve të banorëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Shpenzimet turistike të banorëve jashtë vendit arrijnë në 5 642.3 milionë denarë. Komponenti kryesor i kostove të turizmit jashtë vendit janë shërbimet e akomodimit me një peshë prej 33.8%, të ndjekura nga shërbimet e ushqimit dhe pijeve me 31.5% dhe shërbimet e transportit të pasagjerëve me 31.5% (Tabela 3).